METODOLOGJI DHE METODA SHKENCORE
Kurs 03: Puna me Përzgjedhjen dhe Analizën e Literaturës së Dizertacionit
Çfarë Aftësi Praktike Mëson nga ky Kurs. Kursi të Mëson të Demonstrosh në Përzgjedhjen dhe Analizën e Literaturës në Dizertacionin tënd:
- Përshtatshmërinë e Literaturës me Fenomenin që ti studion. Dmth, literatura që ti zgjedh ka lidhje vetë me fenomenin që ti do të studiosh, fokusin, dhe synimin e dizertacionit.
- Trajtimin e Tipareve, Formave, dhe Variancës që shfaq Fenomeni. Dmth, literatura që ti zgjedh, e mbulon debatin për tiparet, format e shfaqjes dhe variancën që karakterizojnë fenomenin që ti ke në plan të studiosh.
- Trajtimin e Perspektivave apo Përqasjeve rreth Fenomenit. Dmth, literatura që ti zgjedh evidenton perspektivat, përqasjet, teoritë kryesore që konkurrojnë dhe pretendojnë se shpjegojnë më mirë fenomenin që ti mendon të studiosh.
- Trajtimin e Teorive, Modeleve Shpjeguese, Supozimeve bazë, Hipotezave, Faktorëve Ndikues. Dmth, literatura që ti zgjedh hedh dritë mbi teoritë, modelet shpjeguese supozimet bazë, hipotezat, dhe faktorët me të cilat studiuesit analizojnë fenomenin dhe shpjegojnë fenomenin që ti studion.
- Trajtimin e Studiuesve, Çështjeve, Argumenteve, Shpjegimeve më dominuese rreth fenomenit. Dmth, literatura që ti zgjedh, evidenton studiues, çështje, argumente, shpjegimet më kryesore apo më të debatueshme rreth fenomenit që ti studion.
- Trajtimin nga ana jote të Literaturës me sy Kritik dhe të Shprehjes Qartë të Pozicionit tënd në Debatin për Fenomenin. Dmth, ti mëson se si të vlerësosh dhe kritikosh punën e studiuesve të mëparshëm dhe të tregosh gjithashtu cili është pozicioni që merr brënda debatit për fenomenin që studion; ti tregon me ç’perspektivë, model, supozime nistore, hipoteza, model analizues, argumente hyn në debat dhe bën shpjegimin tend; ti tregon me ç’pozicion, tezë, argument, pikëpamje, perspektive, apo teori ti qëndron më afër apo më larg.
- Realizimin nga ana jote të Lidhjes “natyrale” mes Kuadrit Teorik dhe Kontekstit Material apo Realitetit Praktik. Dmth, ti demonstron që kuadri teorik që ke trajtuar të shërben si “metër” i mirë matës i vlerës së fakteve që vëzhgohen në realitetin material dhe kontekstin ku vepron fenomeni.
Pse të Duhet ta Marrësh këtë Kurs. Duhet ta Marrësh për 5 Arsye:
- Analiza Literaturës ka rëndësi për tre gjëra: 1) njohjen e debatit për të “vërtetën” në fushën e fokusit të studimit, 2) pozicionimin tënd në këtë debat, 3) elaborimin e “metrit matës” me të cilën ti do bësh sens dhe japësh gjykimin në studimin tënd të fakteve që ti vëzhgon nw botën reale në lidhje me fenomenin që ti analizon;
- Puna Korrekte me Literaturën të lehtëson punën me dizertacionin. Nëse në literaturën e grumbulluar ke arritur të gjesh librat apo artikujt adekuatë, ato që përfaqësojnë punimet më të rëndësishme të fushës dhe në raport me fenomenin, analiza e tyre do të bëjë më të lehtë zgjidhjen e problemeve metodologjike (variabla, indikatorë matës, hipoteza) dhe atyre që kanë të bëjnë me analizën (llojin e analizës që është më e përshtatshme, teknikat analizuese)
- Njohja e mirë e literaturës së fushës të ndihmon për botimet e tua të mëtejshme. Shumë studentë nuk e shohin punën me literaturën si themeli i punës së mëvonshme kërkimore por e konsiderojnë vetëm si diçka që duhet bërë se ua kërkojnë ose sepse e bëjnë të gjithë. Mungesa e një kuptimi të qartë për funksionin dhe rolin e literaturës duket sidomos në “analizat” e literaturës në shumë dizertacione ku analiza e literaturës vuan nga inflacioni i materialeve të sjella, inkoherenca në arsyet dhe gjykimin e materialeve, mungesa e një busulle dhe pike të caktuar drejt së cilës ecën analiza, dhe mbi të gjitha mungea e fuqisë abstraguese të personit që bën analizën e literaturës.
- në Universitetet publike dhe private udhëheqësit e tu shkencorë mund të të “ndihmojnë” me literaturën në aspektin sasior, por jo domosdoshmërisht në atë “cilësor”. Dmth, mund të të ndihmojnë me sugjerimin e një numëri pa fund artikujsh apo librash por nuk të tregojnë se si duhet ti analizosh dhe çfarë duhet të nxjerrësh nga analiza e librave apo artikujve brënda kuadrit të analizës së literaturës!
- Do të shmangësh gabimet që bëjnë studentët në punën me Literaturën. Shumë studentë nuk e kuptojnë natyrën dhe funksionin e analizës së literaturës – që studimet që përzgjidhen, dhe analiza e tyre, përfaqësojnë një “luftë për të vërtetën” rreth fenomenit. Beteja mes studiuesve, ku secili pretendon se e vërteta që ai shpall në studimin dhe gjetjet e tij, ka natyrë akademiko-shkencore. Ajo nuk ka të bëjë me, dhe nuk përcaktohet nga faktet e përgjedhura nga studiuesi për tu analizuar. Beteja se cili nga studiuesit ka më shumë të drejtë për “të vërtetën” që pretendon përcaktohet nga metodologjia, metodat, arsyetimi logjik që janë përdorur. Në Shqipëri, shumë shpesh, në punën e tyre me literaturën, studentët doktorantë ngatërrojnë DEBATIN akademik dhe shkencor rreth fenomenit me KONTEKSTIN në të cilin vezhgohet ose do të analizohet fenmomeni!
Sa Zgjat Kursi: 6 Javë