Statuti i ISAL-Albania

STATUTI

QËNDRA “Instituti Studimeve për Arsimin e Lartë Shqipëri” (ISAL-Albania)

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Parimet e Krijimit të Organizatës

QËNDRA “Instituti i Studimeve për Arsimin e Lartë në Shqipëri” (ISAL-Albania) është krijuar dhe e zhvillon veprimtarinë e vet në përputhje me legjislacionin civil shqiptar, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, me Ligjin Nr. 8788, dt.07.05.2001 "Për Organizatat Jo-fitimprurëse", me Ligjin Nr. 8789 dt. 07.05.2001 "Per Rregjistrimin e Organizatave Jo-fitimprurëse", me këtë Statut, si edhe me politikat e organizatës.

QËNDRA ISAL-Albania është një organizatë jofitimprurese dhe pa asnjë qëllim fitimi, joqeveritare, jopolitike, jofetare, e pavarur, pa anëtarësi, dhe e krijuar mbi bazën e vullnetit të lirë të anëtarëve të saj.

Neni 2

Emërtimi i Organizatës

Emërtimi zyrtar i Qëndrës do të jetë “Instituti Studimeve për Arsimin e Lartë Shqipëri,” shkurtimisht ISAL-Albania, dhe kështu do referohet edhe më poshtë në këtë Statut.

Neni 3

Themeluesit e Organizatës

Themeluesit e ISAL-Albania janë:   

  1. EDMOND ÇATA, i biri i Fiqiret Çata, i datëlindjes 18.12.1966, i lindur në Tiranë, dhe banues në Tiranë, në adresën Rruga Sokrat Mosko, P. 146, Ap. 4, shtetas Shqiptar, madhor, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G61218029M
  • MIRELA H. BOGDANI, e bija e Haki Bogdanit, e datëlindjes 02.12.1966, e lindur në Tiranë, dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga “E Bogdanëve”, P. 14, Ap. 21, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G66202033Q.
  • MIRELA P. BOGDANI, e bija e Petrika Bogdanit, e datëlindjes 25.01.1978, e lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga e Kavajës, ish Parku, Blloku 100 Vitrinat, Kulla B, Ap. 28, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit H85125048P.
  • MIMOZA MANXHARI,  e bija e Guri Manxharit, e datëlindjes 05.06.1961, e lindur në Tiranë, dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga Sulejman Pitarka, P. 14, Sh. 4, Ap 23, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G15605255J.
  • FLORIDA MISHA, e bija e Stavri Mishës, e datëlindjes 20. 01. 1968, e lindur në Tiranë, dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga Hoxha Tahsin, P. 265, Ap. 15, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G851202024J.

Neni 4

Simbolet e Organizatës

Qëndra “ISAL-Albania” ka emrin, logon, vulën, stemën, dhe flamurin e vet të cilat e identifikojnë atë dhe shoqërojnë çdo dokument, aktivitet, shërbim, dhe botim të Qëndrës që nga dita e themelimit të saj. Emri, logo, vula, stema, dhe flamuri miratohen nga Bordi dhe janë të detajuara në këtë statut.

Emërtimi në formën e shkurtuar “ISAL-Albania” është sigla e organizatës.

Stema dhe Logo “ISAL-Albania” paraqitet në formën e një rrethi, në pjesën e sipërme të rrethit shkruhet ISAL ndërsa në pjesën e poshtme të rrethit shkruhet Albania. Rrethi ka si sfond një libër të hapur dhe penë. Ngjyra e sfondit është bizele.

Vula e “ISAL-Albania” do të jetë drejtkendeshe me inicialet “ISAL-Albania”. “ISAL” është e shkruar me gërma kapitale. “Albania” është e shkruar me gërma të vogla, vetëm gërma e parë është “A” kapitale. Midis “ISAL” dhe “Albania” është një vizë lidhëse. 

Neni 5

Selia e Organizatës

Adresa e selisë qëndrore të “ISAL-Albania” është: Rruga Sokrat Mosko, Pallati 146, Shkalla 2, Ap. 4, Njësia Bashkiake 6, Tiranë, Shqipëri, Kodi Postar 1027. 

Me vendim të Bordit, qëndra “ISAL-Albania” mund të ushtrojë aktivitetin e vet edhe nëpërmjet degëve të saj në çdo njësi tjetër administrativo-territoriale të Shqipërisë.

Neni 6

Kohëzgjatja e Veprimtarisë së Organizatës

Qëndra “ISAL-Albania” do të ushtrojë veprimtarinë e saj jofitimprurëse për një kohë të pacaktuar.

Përfundimi apo kufizimi i kohëzgjatjes së veprimtarisë së “ISAL-Albania” bëhet me vendim të motivuar të Bordit, ose për shkaqe të forcave madhore të përcaktuara sipas Legjislacionit në fuqi.

Viti shoqëror për periudhën pasardhëse do të jetë si viti kalendarik që fillon me datë 01 Janar dhe perfundon me datë 31 Dhjetor.

Neni 7

Juridiksioni i Organizatës

“ISAL-Albania” do të ushtrojë veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

“ISAL-Albania” do të zhvillojë aktivitetin e vet në Republikën e Shqipërisë në përputhje me këtë statut, aktin e themelimit, si dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore të zbatueshme për organizatat jofitimprurëse.

Neni 8

Fushat e Veprimtarisë së Organizatës

Fusha e veprimtarisë së Qëndrës “ISAL-Albania” është Arsimi i Lartë dhe Kërkimi Shkencor në Shqipëri.

Fokusi i veprimtarisë së “ISAL-Albania” përfshin monitorimin, analizimin, dhe vlerësimin e dinamikave në dy drejtime.

Në drejtimin e parë, fokusi i “ISAL-Albania” mbulon dinamikat që kanë të bëjnë me aktorët kryesorë në fushën e arsimit të lartë. Këtu “ISAL-Albania” i kushton vëmëndje veprimtarisë së universiteteve publike, universiteteve private, qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Komisionit të Medias dhe Arsimit, Agjencive Publike që mbulojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, Akademinë e Shkencave, dhe institucioneve të tjera. Veprimtaria e aktorëve monitorohet, analizohet, dhe vlerësohet nga pikëpamja e praktikave institucionale, politikave, vendimeve, kuadrit ligjor, rolit dhe kontributit të tyre në zhvillimin e një arsimi të lartë cilësor, universiteti cilësor, dhe kërkimi shkencor cilësor;

Në drejtimin e dytë, fokusi i “ISAL-Albania” mbulon dinamikat që kanë të bëjnë me çështjet dhe problemet kryesore me të cilat përballet arsimi i lartë, universitetet, dhe kërkimi shkencor në Shqipëri. Çështjet dhe problemet që monitorohen, analizohen, dhe vlerësohen kanë të bëjnë me aspektet institucionale, burokratike, financiare, akademike, dhe shkencore të institucioneve të arsimit të lartë, me modelet dhe praktikat që aplikohen në arsimin e lartë, universitetet, dhe kërkimin shkencor në Shqipëri.

Neni 9

Misioni i Veprimtarisë së Organizatës

Veprimtaria e “ISAL-Albania” udhëhiqet nga interesi publik dhe moto se pa arsim të lartë cilësor, pa universitet cilësor, dhe pa kërkim shkencor cilësor nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik dhe treg cilësor, as politika publike dhe qeverisje të mira, as mirëqënie të qytetarëve dhe shoqëri të zhvilluar, as shtet modern dhe me aftësi konkurruese. 

Qëllimi i veprimtarisë së “ISAL-Albania” është identifikimi, mbështetja, dhe inkurajimi i standarteve, modeleve, praktikave, politikave më të mira dhe të shëndosha në arsimin e lartë, universitetet shqiptare, dhe kërkimin shkencor në Shqipëri në funksion të përballjes me problemet, të rigjallërimit dhe rritjes të cilësisë dhe kredibilitetit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, dhe të përmirësimit të kushteve dhe funksionimit institucional, financiar, dhe akademik të institucioneve të arsimit të lartë.

Qëllimi i “ISAL-Albania” gjen shprehje në pesë objektiva:

  1. Monitorimin dinamik të zhvillimeve, çështjeve, dhe problemeve në arsimin e lartë, universitete, dhe kërkimin shkencor;
  2. Monitorimin, analizimin, dhe vlerësimin e praktikave institucionale, politikave, vendimeve, dhe kuadrit ligjor që kanë të bëjnë me arsimin e lartë, universitete, dhe kerkimin shkencor;
  3. Identifikimin e problemeve me praktikat, marrëdhëniet, modelet, politikat, vendimet, kuadrin ligjor që kanë të bëjnë me arsimin e lartë, universitetet, dhe kerkimin shkencor; 
  4. Ushtrimin e presionit publik dhe ndikimit mbi aktorët kryesorë të arsimit të lartë, universiteteve, dhe kërkimit shkencor për të kryer ndryshime reale dhe në drejtimin korrekt;
  5. Bërjen publike brënda dhe jashtë Shqipërisë të gjëndjes dhe fakteve të monitoruara në raport me arsimin e lartë, universitetet, dhe kërkimin shkencor në Shqipëri; 
  6. Ofrimin e zgjidhjeve për problemet të bazuar në modele të provuar në suksesin e tyre për të gjithë ata aktorë që synojnë realizimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, universitetit, dhe kërkimit shkencor. 

Neni 10

Drejtimet e Veprimtarisë së Organizatës

Në realizimin e qëllimit të vet, drejtimet kryesore të veprimarisë “ISAL-Albania” përfshijnë:

  1. Monitorimin e kuadrit ligjor, politikave publike, proceseve vendim-marrëse, menaxhimin, dhe praktikat konkrete në institucionet dhe agjencitë publike në fushën e arsimit dhe shkencës;
  2. Mbledhjen dhe analizimin e të dhënave që kanë të bëjnë me institucionet dhe agjencitë publike që operojnë në fushën e arsimit dhe të shkencës;
  3. Informimin e publikut dhe aktorëve që veprojnë në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor përmes publikimeve te ndryshme, si revista studime, analiza, raporte, statistika mbi veprimtarinë e tyre dhe çështjet të arsimit dhe shkencës që kërkojnë vëmëndje;
  4. Ekspozimin dhe bërjen publike, nëpërmjet konferencave për shtyp dhe prononcimeve në mediat vizive apo të shkruara, të çështjeve dhe problemeve akute që kanë të bëjnë me praktikat, qëndrimet, vendimet, dhe veprimet konkrete të institucioneve që veprojnë në fushën e arsimit dhe shkencës;   
  5. Ofrimin e Programeve të Trajnimit, Kualifikimit, dhe Zhvillimit Profesionalo-Shkencor, për të gjithë ata persona që janë pjesë e institucioneve që veprojnë në fushën e arsimit dhe shkencës;
  6. Ofrimin e Konselencës, Ekspertizë, dhe Alternativave Problem-Zgjidhëse për çështje që kanë të bëjnë me legjislacionin, politikat publike, qeverisjen dhe menaxhimin, zhvillimin akademik, dhe veprimtarinë shkencore për të gjithë ato institucione, publike apo private, shtetërore apo universitare, që operojnë dhe kanë një rol në fushën e arsimit dhe shkencës; 
  7. Organizimin e Aktiviteteve, shkencore dhe edukative, me aktorë me interesa dhe aktivitet në fushën e arsimit dhe shkencës, pa bërë dallim midis individëve, grupeve, agjencive, institucioneve, apo organizatave;
  8. Mbështetjen e Programeve të Qëndrueshme, me fokus në arsim që nxitin dhe kontribuojnë në lidhjen e arsimimit dhe veprimtarisë kërkimore shkencore me nevojat e tregut dhe shoqërisë; 
  9. Bashkëpunimin dhe Pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta me individë, grupe, organizata, programe, agjenci, dhe institucione, publike apo private, shqiptare apo të huaja, që kanë interes dhe operojne në fushën e arsimit dhe të shkencës, kanë interes për kërkimin shkencor të aplikuar, idetë dhe praktikat novatore;
  10. Nxitjen dhe mbështetjen e studiuesve shqiptarë nëpër botë dhe shëndrrimin e tij në një faktor aktiv, efektiv, dhe realisht kontribues në çështjet e arsimit dhe të shkencës në Shqipëri përmes shkëmbimit të ideve dhe experiences pavarësisht vendndodhjes si dhe pjesmarrjes direkte aktive me projekte konkrete. 

“ISAL-Albania” mund të zhvillojë edhe aktivitete të tjera që lidhen me drejtpërsëdrejti me realizimin e qëllimeve të egzistencës dhe veprimtarisë së saj. 

Neni 11

Përgjegjësia

“ISAL-Albania” ka përgjegjësi civile dhe penale si person juridik. Anëtarët e Bordit, Drejtori Ekzekutiv, stafi, dhe bashkëpuntorët e saj nuk përgjigjen për detyrimet e “ISAL-Albania” ndaj të tretëve, me përjashtim të rasteve kur gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje ose nga pakujdesia e rëndë, ata i kanë shkaktuar dëm të tretëve.

KREU II

ORGANET, KOMPETENCAT, VENDIM-MARRJA

Neni 12

Struktura Drejtuese të ISAL-Albania”

Strukturat Drejtuese të “ISAL-Albania”janë:

  • Bordi Drejtues
  • Drejtori Egzekutiv

Neni 13

Bordi Drejtues

Bordi Drejtues i “ISAL-Albania”:

a) është organi më i lartë vendimmarrës

b) përbëhet nga 3 anëtarë.

  • Mirela H. Bogdani
  • Mirela P. Bogdani
  • Mimoza G. Manxhari

Të cilët:

  • emërohen nga themeluesi i “ISAL-Albania”
  • kanë mandat 4 vjeçar
  • kanë të drejtë riemërimi

c) mandatii anëtarit të Bordit mund të mbarojë edhe përpara afatit:

  • për shkak të largimit nga detyra nga organi i emërtesës
  • ose edhe me vullnetin e tij

d) mund të rrisë numrin e anëtarëve të vet. Në këtë rast kandidatët për antarë Bordi:

  • i propozohen Bordit nga Drejtori Executiv  
  • miratohen nga Bordi me shumicë të thjeshtë 50%+1

e) mund të shkarkojë një antar të Bordit. Në këtë rast, kërkesa për shkarkim:

  • mund të vijë ose nga Drejtori Egzekutiv ose nga anëtarët e tjerë të Bordit;
  • duhet të jetë e argumentuar dhe shprehur me shkrim;
  • miratohet me shumicë të cilësuar, 2/3 e votave të të gjithë antarëve të Bordit

Neni 14

Kompetencat e Bordit Drejtues

Bordi Drejtues i “ISAL-Albania” ka këto kompetenca:

a) përzgjedh, emëron, i delegon autoritet dhe kompetenca egzekutive, shkarkon Drejtorin Ekzekutiv.

b) informohet rregullisht:

  • për aktivitetin e Drejtorit Egzekutiv
  • për realizimin e veprimtarisë së Qendrës.
  • për shpenzimet financiare të kryera nga organizata rast-pas-rasti gjatë realizimit të veprimtarisë përfshi edhe ato të kryera për veprimtari të përbashkëta me organizata të tjera;
  • për çështje të karakterit ekonomik, financiar, administrativ
  • për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë së organizatës, organizimin e burimeve njerezore dhe financiare, dhe strukturën e organizatës
  • për krijimin dhe funksionimin e komiteteve, departamenteve, apo pozicioneve administrative të posaçme

c) jep aprovimin për:

  • programin dhe planin e veprimtarisë së organizatës
  • raportet dhe pasqyrat financiare qe paraqiten nga organi ekzekutiv,
  • burimet materiale e financiare,
  • përdorimin e fondeve
  • pasuritë e organizatës;
  • aktet më të rëndësishme për buxhetin
  • shpenzimet për vitin e ardhshëm;

d) ka fjalën e fundit vendim-marrëse për:

  • ndryshimin e Statutit.
  • fushat e veprimtarisë së “ISAL-Albania”
  • drejtimet strategjike
  • programet dhe prioritetet e veprimtarisë të “ISAL-Albania”
  • çështje të tjera të parashikuara shprehimisht në ligj ose në statut
  • departamente të posaçme
  • pozicione administrative

e) mbikqyrnë përputhje me legjislacionin në fuqi veprimtarinë e organizatës për të parandaluar përdorimin e burimeve

  • për qëllime terroriste,
  • për financimin e grupeve terrorriste
  • për pastrimin e parave;

Neni 15

Mbledhja, Votimi, dhe Vendim-marrja e Bordit

Mbledhja e Bordit:

  • drejtohet nga Kryetari i Bordit
  • bëhen të paktën 3 (tre) herë në vit. Pjesëmarrja në mbledhje e antarëve të Bordit bëhet normalisht në mënyrë fizike. Në rast të arsyeve apo rrethanave të veçanta, pjesëmarja në mbledhje mund të realizohet edhe përmes komunikimit on-line, me video në skype, ëhats-up, apo viber;  
  • mbledhja “e zakonshme” thirret nga Bordi ose Drejtori Egzekutiv; Në këtë rast data dhe rendi i ditës njoftohen jo më pak se 10 ditë para.
  • mbledhja “e jashtëzakonshme” thirret me kërkesë ose të Drejtorit Egzekutiv ose kur e kërkojnë të paktën 3 anëtarë të Bordit. Në këtë rast data dhe rendi i ditës njoftohen vetëm 15 ditë para
  • mbledhja mund të jetë edhe “e posaçme” kur nevojitet shqyrtimi i çështjeve të rëndësisë së veçantë në kompetencë të Bordit, për të cilat nuk mund të pritet mbledhja e radhës;
  • mbledhja mund të bëhet edhe me kalimin e afatit 4 (katër) mujor nga mbledhja e fundit;
  • mbledhja është e vlefshme kur marrin pjesë 50%+1 e antarëve; nëse kjo shumicë nuk arrihet atëherë mbledhja shtyhet në një datë tjetër brenda 30 ditëve.

Votimi:

  • votimi është i hapur
  • çdo anëtar ka të drejtën e 1 (një) vote;
  • anëtari i Bordit që nuk është i pranishëm në votim për arsye objektive, mund t'ia kalojë votën e tij me autorizim një përfaqësuesi tjetër që do të marrë pjesë në mbledhje; Kalimi i të drejtës së votës bëhet me shkrim dhe i njoftohet Bordit;
  • shumica e “thjeshtë” kërkon 3 (tre) vota
  • shumica e “cilësuar” kërkon 4 (katër) vota   

Vendim-Marrja

  • bëhet mbi bazën e votimit të hapur
  • merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të rasteve kur në statut parashikohet shprehimisht një shumicë e cilësuar;
  • nënshkruhet nga Kryetari i Bordit

Neni 16

Drejtori Egzekutiv

Drejtori Egzekutiv i ISAL-Albania zgjidhet dhe emwrohet Z. EDMOND ÇATA

Drejtori Egzekutiv:  

  • është organi më i lartë ekzekutiv dhe administrativ
  • është përfaqësuesi juridik i ISAL-Albania
  • zgjidhet nga Bordi
  • ka mandat 4 vjeçar,
  • ka të drejtë ri-mandatimi;
  • kandidatura përzgjidhet midis antarëve të Bordit përmes mekanizmit të rotacionit;
  • e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Statutin, Aktin e Themelimit, dhe vendimet e Bordit;
  • kur mbaron mandatin zgjidhet në bordin drejtues në vënd të përsonit që zgjidhet drejtor i ri egzekutiv.

Neni 17

Detyrat dhe Kompetencat e Drejtorit Egzekutiv

Drejtori Egzekutiv i ISAL-Albania ka këto detyra dhe kompetenca:

në funksionin e përfaqësuesit të ISAL-Albania:

  • është përfaqësues ligjor i saj
  • mban dhe përdor vulën e saj
  • miraton dhe nënshkruan dokumenta, akte, marrëveshje, raporte, projekte në emër të saj;
  • përfaqëson ISAL-Albania në marrëdhëniet me të tretët - subjekte private, subjekte publike, donatorët, institucione, agjenci, dhe gjithë nivelet e qeverisjes qëndrore dhe vendore;
  • përfaqëson ISAL-Albania në marrëdhëniet me të gjithë strukturat e brëndëshme që rregullojnë veprimtarinë e saj;
  • hyn në marrëdhënie me organizma të tjera të huaja;

në funksionin e koordinuesit organizativ të ISAL-Albania:

  • është administratori i saj
  • organizon, drejton, kontrollon, dhe mbikqyr realizimin e veprimtarisë së përditshme të saj;
  • koordinon punën e Bordit dhe propozon projektet për donatorët;
  • thërret dhe drejton mbledhjet e Bordit;
  • informon dhe i raporton Bordit;
  • raporton dhe jep llogari përpara Bordit sa herë që i kërkohet;
  • ekzekuton programet dhe projektet e miratuara nga Bordi;
  • kontrollon zbatimin e programit vjetor të veprimtarive të saj;

në funksionin e planifikimit të veprimtarisë së ISAL-Albania:

  • përcakton strategjinë dhe politikat e saj;
  • i propozon Bordit planin e aktiviteteve të saj;
  • pregatit projekt-programin dhe ia paraqit Bordit për miratim;
  • identifikon drejtimet dhe projektet kryesore për tu financuar përmes buxhetit vjetor të ISAL-Albania dhe ia paraqit Bordit për miratim;

në funksionin e menaxhuesit të burimeve financiare:

  • harton buxhetin vjetor dhe ia paraqet atë për miratim Bordit;
  • administron fondet sipas mënyrës të caktuar nga Bordi;
  • autorizon veprimet financiare
  • mbikqyr dhe është përgjegjës për respektimin e përdorimit të buxhetit dhe financimit të zërave të tij;
  • siguron mbarëvajtjen financiare të ISAL-Albania dhe ushtrimin e veprimtarisë së saj në përputhje me qëllimin e deklaruar;
  • siguron që organizatat partnere dhe ato që ofrojnë financim, shërbime dhe mbështetje materiale nuk përdoren, kanë lidhje me, apo manipulohen për qëllime terroriste;

në funksionin e vendim-marrësit në emër të ISAL-Albania:

  • propozon ndryshime në Statut dhe i paraqet për miratim në mbledhjen më të afërt të Bordit
  • merr vendimet që janë në kompetencë e tij sipas këtij Statuti,
  • mban parasysh dhe reflekton propozimet e çdo anëtari të Bordit;
  • kërkon për vendime të rëndësishme miratimin e shumicës së anëtarëve të Bordit;
  • jep masa disiplinore konform Kodit të Punës

Neni 18

Funksionimi dhe Vendim-Marrja në ISAL-Albania

a) ISAL-Albania funksionon mbi bazën e këtij Statuti, të Aktit të Themelimit, dhe legjislacionit shqiptar në fuqi për organizatat jofitimprurese.

b) Veprimtaria e përditshme udhëhiqet nga Drejtori Ekzekutiv, i cili në përputhje me nevojat e realizimit te projekteve dhe me mundësitë financiare, merr në punë me kohë të plotë ose të pjesshme ekspertë dhe punonjës të tjerë ndihmës.

c) Numri, funksionet dhe niveli i pagave të punonjësve të ISAL-Albania propozohen nga Drejtori Ekzekutiv dhe miratohen nga Bordi në mbledhjen e radhës jo më vonë se 3 (tre) muaj nga fillimi i veprimtarise/projektit;

d) Mënyra dhe masa e shpërblimit të anëtarëve të Bordit caktohet nga Mbledhja e Përgjithshme e Bordit, në fillim të çdo viti, duke marrë parasysh edhe përvojat e strukturave të ngjashme si fondacione apo projekte;

e) Vendimet e Bordit merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të tij.

f) Drejtori Ekzekutiv ka të drejten e votës.

g) Vendimet për ndryshimin e Statutit, të Aktit të Themelimit, dhe për miratimin e rregulloreve të brendshme merren me 2/3 e votave.

h) Mbledhjet e Bordit Drejtues së Qendrës thirren me kërkesën e Drejtorit Ekzekutiv, në varësi të projekteve dhe veprimtarisë, por asnjëherë më rrallë se 1 (një) here në katër muaj.

i) Bordi mblidhet edhe në rast të ndonjë kërkese të motivuar dhe të firmosur, nga të paktën 1/3 e anëtarëve të Bordit.

Neni 19

Strukturat Administrative - Sekretaria dhe Financat

Sekretaria e ISAL-Albania:

  • kryen funksion administrativ
  • përbëhet nga Sekretarja Ekzekutive
  • është nomenklaturë dhe në varësi të Drejtorit Egzekutiv

Zyra e Financave e ISAL-Albania:

  • kryen funksion administrativ
  • përbëhet nga personeli përgjegjës për mbajtjen e dokumentacionit financiar
  • është nomenklaturë dhe në varësi të Drejtorit Egzekutiv

Neni 20

Strukturat Ndihmëse – Koordinatorët dhe Bashkëpuntorët Ekspertë

Koordinatorët e ISAL-Albania:

  • kryejnë funksion administrativ,
  • përbëhet nga koordinatorët e projekteve
  • miratohen nga Bordi me propozim të Drejtorit Egzekutiv
  • janë nomenklaturë dhe në varësi të Drejtorit Egzekutiv

Bashkëpuntorët dhe Ekspertët e ISAL-Albania:

  • janë individë me kredenciale akademike dhe profesionale në fushën e arsimit të lartë
  • mbulojnë dhe ofrojnë eksperitizë në fushat e marrëdhënieve juridike, marrëdhënieve me median dhe publikun, politikave në arsimin e lartë, problemet në aspektet akademike, shkencore, financiare, të institucioneve të arsimit të lartë;
  • miratohen nga Bordi me propozim të Drejtorit Egzekutiv
  • janë nomenklaturë dhe në varësi të Drejtorit Egzekutiv

Neni 21

Të Drejtat dhe Detyrimet e Stafit të Strukturave Administrative dhe Ndihmëse

Çdo person i punësuar apo bashkëpuntor i ISAL-Albania ka të Drejtë:

  • të trajtohet me respekt
  • të vlerësohet për punën që bën dhe kontributin që jep në veprimtarinë e ISAL-Albania
  • të shpërblehet financiarisht proporcionalisht me punën që bën dhe në përputhje më mundësitë dhe burimet financiarë të ISAL-Albania
  • të japë dorëheqjen apo lorgohet me vullnet të lirë, duke njoftuar në avance, të paktën 20 (njëzet) ditë para ditës së fundit të punës.

Çdo person i punësuar apo bashkëpuntor i ISAL-Albania ka për detyrë:

  • të zbatojë statutin e ISAL-Albania dhe vendimet e Drejtorit Egzekutiv
  • të realizojë të gjithë përgjegjësitë dhe dëtyrat brënda projektit në të cilin merr pjesë
  • të jetë korrekt në marrëdhëniet me të tjerët

Neni 22

Ndërprerja e Kontratës së Punësimit dhe të Bashkëpunimit

Drejtori Egzekutiv i ISAL-Albania ka të drejtën e ndërprerjes së kontratës së punësimit apo të bashkëpunimit me një person kur veprimtaria dhe sjellja e këtij personi:

  • bie në kundërshtim me misionin, qëllimin, dhe statutin e ISAL-Albania si dhe me legjislacionin në fuqi;
  • përdor qënien në ISAL-Albania për qëllime politike ose përfitim personal;
  • kryen veprime që dëmtojnë reputacionin dhe financat e ISAL-Albania

KREU III

FINANCAT

Neni 23

Burimet Financiare të Organizatës

a) ISAL-Albania është një organizatë jo-fitimprurëse. Ajo operon në fushën e arsimit të lartë.

b) Burimet financiare të Qëndrës CHER-Albania përbëhen nga:

  • fonde nga themeluesi i saj;
  • kontribute vullnetare;
  • kontribute të palëve të treta;
  • grante, donacione, ose sponsorizime private;
  • fonde nga individë, institucione qeveritare dhe joqeveritare, vendase ose te huaja që do të mbështesin realizimin e qëllimeve të saj;
  • të ardhuat nga aktiviteti i saj jo-fitim-prurës;
  • çdo burim tjetër të ardhurash të lejuara nga ligji;

c) ISAL-Albania nuk pranon donacione ose financime të shoqëruara me kushte që do të kufizonin lirinë e saj të vendim-marrjes, veprimit, dhe pozicionimit publik.

d) ISAL-Albania nuk pranon dhurata apo sponsorizime nga persona fizik apo juridik, kombëtarë apo ndërkombëtare, që nuk respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe dëmtojnë interest kombëtare shqiptare në të gjithë botën.

e) ISAL-Albania mund të zotërojë prona, struktura, pajisje, para dhe mjete të tjera monetare si dhe asete të tjera intelektuale të krijuara brënda qëllimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me legjislacionin shqiptar.

f) Kontributi fillestar i themeluesit për ISAL-Albania është 5.000 leke të reja. Kjo shumë është e derdhur në Bankën Kombëtare Tregtare ME Numër Llogarie 402007440CLTJBLALLIH në emër të ISAL-Albania

g) Shuma e depozituar si kontribut për organizatën kalon në pronësi të ISAL-Albania që nga momenti i regjistrimit të saj në gjykatë dhe depozituesi zhvishet nga pronësia mbi shumën e depozituar që nga ky moment.

Neni 24

Menaxhimi i Fondeve të Organizatës

Të ardhurat, Fondet, dhe Pasuritë e ISAL-Albania:

  • administrimi i fondeve dhe i pasurive është kompetencë ekskluzive e Bordit. Për administrimin e fondeve Bordi mund t'i delegojë detyra të veçanta Drejtorit Ekzekutiv! 
  • do të depozitohen në llogarinë bankare të ISAL-Albania në një nga Bankat e qytetit të Tiranës. Të gjitha lëvizjet e fondeve do të kryhen nëpërmjet kësaj llogare. 
  • do të evidentohen dhe dokumentohen rregullisht në pasqyrat e saj financiare sipas ligjeve në fuqi;
  • do të përdoret ekskluzivisht për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në këtë Statut, sipas vendimeve të miratuara nga Bordi dhe Drejtori Egzekutiv;
  • nuk do të shpërndahen në favor antarëve të Bordit, Drejtorit Egzekutiv, stafit, dhe bashkëpuntorëve të ISAL-Albania përveçse në rastet kur bëhet fjalë për kompensimin e shërbimeve të kryera ndaj saj apo për shpenzime të kryera në llogari të saj, që rrjedhin nga kontrata e punës në formën e pagave, shpërblimeve, apo rimbursimeve. Masa e shpërblimit, rastet, mënyra e dhënies etj, përcaktohen nga Bordi dhe Drejtori Egzekutiv.
  • drejtuesit nuk kanë të drejta mbi kapitalin e qëndrës dhe ndalohet shpërndarja e fitimit midis tyre.
  • miratimi i personave që do të merren me çështejet financiare të organizatës është kompetencë e Bordit.

Neni 25

Bilancet Financiare dhe Auditimi i Veprimtarisë Financiare

  1. Veprimet ekonomiko-financiare të ISAL-Albania mbyllen në fund të vitit financiar, më 31 Dhjetor.
  2. Në fund të do viti financiar, nxirret bilanci financiar, i cili shqyrtohet nga Bordi jo më vonë se tre muaj nga data e nxjerrjes.
  3. Për të siguruar një veprimtari ekonomike efektive dhe transparente, Bordi ka të drejtë të urdhërojë ushtrimin e kontrollit mbi këtë veprimtari në çdo kohë e për çdo rast që ai e gjykon të nevojshëm.
  4. Subjektet donatore kanë të drejtë që në çdo kohë të verifikojnë përdorimin e fondeve ose të favoreve të tjera, në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë. Në rast se konstatojnë shkelje në përdorimin e tyre, i referojnë Bordit duke sugjeruar edhe masat përkatëse.

Neni 26

Punësimi në Organizatë

  1. ISAL-Albania për nevojat e veta punëson individë, vendas ose të huaj, duke respektuar legjislacionin e punës në Republikën e Shqipërisë.
  2. Drejtori Egzekutiv është punëdhënesi. Ai lidh kontratën duke u bazuar në kriteret dhe nevojat e organizatës si dhe përcaktimet e Kodit të Punës.

KREU IV

TRANSFORMIMI, BASHKIMI, NDARJA, SHPËRNDARJA, DHE LIKUIDIMI

Neni 27

Transformimi, Bashkimi, dhe Ndarja e Organizatës

ISAL-Albania mund të transformohet në të ardhmen në dy mënyra:

  • përmes bashkimit më një apo disa organizata të tjera
  • ose përmes ndarjes në një apo disa organizata të tjera

Kur ISAL-Albania bashkohet me një organizatë tjetër ose të tjera organizata:

  • e bën këtë për të siguruar avancimin e qëllimeve dhe aktiviteteve të saj;
  • bëhet në ato raste kur misionet e organizatave plotësojne njëra –tjetrën;
  • e ndërmerr këtë hap mbi bazën e një vendimi të marrë nga Bordi me propozim të Drejtorit Egzekutiv
  • ISAL-Albania konsiderohet e shpërndarë me regjistrimin e subjektit të ri.

Kur ISAL-Albania ndahet në dy ose më shumë organizata të tjera:

  • e bën këtë për të siguruar effiçencën e aktivitetit të saj dhe avancimin e qëllimeve
  • e ndërmerr këtë hap mbi bazën e një vendimi të marrë nga Bordi
  • ISAL-Albania konsiderohet e shpërndarë me regjistrimin e subjektit të ri.

Neni 28

Shpërndarja e Organizatës

Shpërndarja e ISAL-Albania:

  • bëhet me vendim të Bordit Drejtues me propozim të Drejtorit Ekzekutiv.
  • Bordi vendos për kufizimin e kohëzgjatjes së veprimtarisë ose ndërprerjen tërësisht të veprimtarisë;
  • vendimi merret me shumicë të thjeshtë

Shpërndarja mund të ndërmerret në rastin kur veprimtaria e ISAL-Albania:

  • shteron dhe nuk e justifikon më ekzistencën e saj;
  • rezulton me të ardhura të pamjaftueshme për vetëfunksionimin për një periudhë prej tre vitesh të njëpasnjëshëm;
  • rezulton në kundërshtim me qëllimin e krijimit të shoqatës;
  • ka përmbushur qëllimin për të cilin u themelua, ose kur qëllimi i saj nuk mund të përmbushet më;
  • bie në kundërshtim me qëllimet e përcaktuara në këtë Statut dhe për këtë arësye Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës vendos që ajo të shpërndahet;

Neni 29

Likuidimi i Organizatës

Likuidimi i ISAL-Albania:

  • pason shpëndarjen e organizatës;
  • bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi dhe parimit të ndalimit të shpërndarjes së fitimeve dhe pasurive të saj;

Në rast likudimi të ISAL-Albania, Bordi:

  • emëron një ose më shumë likuidatorë për zhvillimin e procesit të likujdimit;
  • iu jep likuidatorëve autoritetin dhe përgjegjësinë për asetet, pasurinë, dhe përfaqësimin e organizatës jofitimprurëse, qe nga dita e emërimit të tyre dhe deri në përfundimin e likuidimit;
  • vendos mbi rregullimin e procesit dhe procedurave të likuidimit, bilancit të likuidimit, dhe heqjes së mandatit të likuidatorit;
  • merr vendim për likuidim me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm dhe votë aprovuese të anëtarëve të caktuar nga themeluesit.

Pasuria që mbetet:

  • në rastin e mbetjes së një pasurie, pas miratimit të bilancit të likuidimit të organizatës kjo pasuri, do ti shpërndahet një organizate tjetër jofitimprurese siç do të vendosë Bordi me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij

Raporti financiar i likuidimit:

  • likuiduesi/it brënda dy muajve duhet të paraqesin pranë Bordit një raport të situates financiare ekzistuese si dhe të kërkojnë një raport të situates financiare për procedurën e mbylljes;

Neni 30

Konflikti i Interesave

  1. Anëtaret e organeve drejtuese të ISAL-Albania dhe punojësit e saj nuk duhet të kryejnë veprimtari të cilat bien ndesh me veprimtarinë dhe misionin e organizatës.
  2. Marrëveshjet ndërmjet ISAL-Albania dhe një anëtari të organeve drejtuese ose një punonjësi të saj, mund të lejohen vetëm nëse ato lidhen për të përmbushur një qëllim ose objekt të veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse, vetëm nëse janë të drejta dhe në përputhje me vleren reale të tregut. Këto marrëveshje mund të lejohen vetëm nëse shqyrtohen paraprakisht nga organet drejtuese. Personat e interesuar duhet të përjashtohen nga diskutimet dhe votimi për marrëveshjen.
  3. Në rast konflikti interesi ose marrëveshje të ndaluar ose të konsumuar dhe në rast se procedurat e mesipërme nuk janë ndjekur, ISAL-Albania mund ta anulojë këtë marrëveshje dhe të ngrejë padi për dëmshpërblim në gjykatë.

Neni 31

Zgjidhja e Konfiktit të Interesave

  1. Çdo anëtar i Bordit ose Drejtori Ekzekutiv i ISAL-Albania duhet të tërhiqet nga shqyrtimi dhe marrja e vendimit për çdo çështje që ai ose familjarët e tij kanë interesa të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ekonomike ose vetjake.
  2. Çdo transaksion financiar për llogari të ISAL-Albania, ndërmjet një anëtari të Bordit, Drejtorit Ekzekutiv, apo një punonjësi të organizatës, kur ata kanë interes financiar, si dhe një personi tjetër juridik dhe fizik, mund të përfundohet vetëm nëse Bordi e lejon atë dhe nëse ky transaksion përmban kushtet më të favorshme për organizatën.
  3. Punonjësit e paguar nuk mund të jenë anëtarë të Bordit. Ata mund të marrin pjesë në mbledhje pa të drejte vote.

Neni 32

Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve

  1. Për mosmarrëveshjet që mund të lindin midis anëtarëve të Bordit, apo me struktura të tjera të ISAL-Albania, në lidhje me interpretimin ose zbatimin e këtij Statuti, do të bëhen përpjekje që të zgjidhen me mirëkuptim ndërmjet tyre. Në të kundërt, ato do t'i shtrohen për zgjidhje Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
  2. Ky statut është përgatitur në 3 kopje origjinale në Shqip, për përmbajtjen e të cilave anëtarët themelues kanë rënë dakort.

KREU V

DISPOZITA KALIMTARE

Neni 33

Interpretimi dhe Zbatimi i Statutit

Në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e këtij statuti dhe për ç’ka nuk është shprehur në statut, veprimtaria e ISAL-Albania rregullohet nga legjislacioni që është në fuqi për organizatat jofitimprurëse 

Neni 34

Dispozita të Fundit

Bordi i parë i ISAL-Albania do të përbëhet nga 3 (tre) anëtarë.

  • Mirela H. Bogdani, e bija e Haki Bogdanit, e datëlindjes 02.12.1966, e lindur në Tiranë, dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga “E Bogdanëve”, P. 14, Ap. 21, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G66202033Q.
  • Mirela P. Bogdani, e bija e Petrika Bogdanit, e datëlindjes 25.01.1978, e lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga e Kavajës, ish Parku, Blloku 100 Vitrinat, Kulla B, Ap. 28, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit H85125048P.
  • Mimoza G. Manxhari, e bija e Guri Manxharit, e datëlindjes 05.06.1961, e lindur në Tiranë, dhe banuese në Tiranë, në adresën Rruga Sulejman Pitarka, P. 14, Sh. 4, Ap 23, shtetase Shqiptare, madhore, me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar, identifikuar nëpërmjet dokumentit të identifikimit G15605255J.

Drejtori i parë Ekzekutiv i ISAL-Albania do të jetë z. Edmond Çata, i biri i Fiqiret Çata, i datëlindjes 18. 12. 1966, lindur në Tiranë, banues në Tiranë, shtetas shqiptar, madhor me zotësi të plotë juridike, me Numër Personal të Kartës së Identitetit G61218029M

ISAL-Albania do të ketë personalitetin e vet juridik nga dita e regjistrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas dispozitave ligjore të shtetit shqiptar.

Ky Statut u firmos nga themeluesi në 3(tre) kopje origjinale në shqip.

Edmond Çata autorizohet të ndjekë produrën e Regjistrimit të ISAL-Albania në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqShqip